Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë publike tabelën zyrtare me të gjithë zërat e kostos së projektit “Mbikalimi Shqiponja-Pallati me Shigjeta”, në kuadër të “Unazës së madhe” të Tiranës.

Pretendimi se vepra ka vetëm 2.3 kilometra rrugë është i pavërtetë, pasi projekti përfshin 2.3 kilometra rrugë të “Kategorisë A” urbane, 4.68 kilometra rrugët e shërbimit “Kategoria F”, 5 km trotuare, 5 km korsi biçikletash, nënkalime këmbësorësh, ndriçim rrugësh “Kategoria Urbane A”, ndriçim i rrugëve “Kategoria F”, punimet e drenazhimit dhe kullimit.

Përveç kësaj, investimi përfshin mbikalim dhe nënkalim te sheshi “Shqiponja”, dy mbikalime të tjera dhe dy nënkalime, përkatësisht te “Lana” dhe “Astiri”.

Në projektin që shkon 40 milionë euro, rreth 30 milionë do të përdoren vetëm për veprat e artit infrastrukturor, mbikalime, nënkalime në rrugët e “Kategorisë A” dhe ato të “Kategorisë F”, të cilat në këtë projekt kanë 75% të totalit të kostos.

Sipas po kësaj tabele rezulton se, 2.34 kilometra rrugë “Kategoria A Urbane”, që është me standardet e një autostradë urbane, e para në Shqipëri, kanë si kosto totale 5.3 milionë euro. Thënë ndryshe, kostoja për kilometër e kësaj lloj rruge është 2.2 milionë euro.

Ndërsa 4.68 kilometra rrugë “Kategoria F” kanë si kosto 3 milionë euro, ose thënë ndryshe 646 mijë euro për kilometër. E gjithë pjesa e zërit të rrugëve në këtë vepër, përfshirë elementët plotësues është sa 25% e totalit të kostos së projektit.

Sipas ARRSH-së, vlera e rrugës nuk është 20 milionë për kilometër, por 8.3 milionë për 7 kilometra. Pjesa tjetër e kostos shkon për nyjen e madhe të sheshit “Shqiponja” dhe 4 nënkalime dhe mbikalime të tjera që do të ndërtohen në këtë segment.

Top Channel