Banorët e zonës së Astirit kërkojnë dëmshpërblim 100% nga shteti, edhe pse ata janë pronarët me të rinj të asaj toke.
Disa prej tyre kanë fituar titull pronësie nga procesi i legalizimit, të tjerët nga ligji 7501, ndërsa për pronarët e vjetër askush nuk flet se si do të kompesohen ata. Sipas sekretarit të përgjithshëm të shoqatës “Pronë dhe drejtësi”, Myrshit Vorpsit, ata që penalizohen në radhë të parë nga ligji shqiptar janë pronarët e vertetë të tokës, të cilët për vite të tëra janë në pritje të kompesimit të pronës së tyre.
“Do të dëmshpërblehen ato që kanë marë tokë me 7501. Do të dëmshpërblehen pronarët qoftë për pronat e kthyera aq pak sa janë kthyer në atë zonë. Dhe ajo sipërfaqe toke, ai metër katror që është atje, çfarë të ardhurash i krijoi shteti shqiptar deri më sot? Vetëm të ardhurat e atij personit që e pushtoi tokën dhe është legalizuar. Për 300 metra katrorë ka paguar jo më tepër se 4 milion e 800 mijë lek të vjetra. Penalizon në radhë të parë pronarët shqiptarë. A kemi ne pronarë toke në Unazën e Re? Kemi sa të duash. Çfarë ka ndodhur me ta? Me këto në rastin më të mirë i janë zënë tokat dhe po presin nga procesi i legalizimit që të marrin paratë e veta. Këtu ka shumë familje të nderuara tiranase të cilëve Komisioni i Kthimit të Pronës nuk ia ka kthyer pronën, por i ka thënë që do të kompensohesh të gjithë këto janë në listë pritje”, deklaroi Vorpsi.
Ndërsa qytetarët e tjerë të Tiranës mendojnë se kjo është një dramë sociale dhe se për kompensim duhet patur shumë kujdes, pasi jo të gjithë e meritojnë atë.
“Dakord, të drejtat e tyre kanë, por janë pak të ekzagjeruar për mendimin tim. A duhet të dëmshpërblehen? Për ata që janë të vjetër po, për të rinjtë jo”, thotë një qytetar.
“Keq më vjen që kanë harxhuar gjithë ato lekë. Por pa bërë dokumentat përkatëse, përse duhet të ndërtonin ata? Të dëmshpërblehen sipas ligjeve, se edhe lekët nuk burojnë”, u shpreh një tjetër.
Top Channel