Dy sulme në Pakistan me 12 të vdekur. Njëri ndaj konsullatës kineze

23/11/2018 09:12

Dy policë kanë mbetur të vrarë, ndërsa një roje sigurie është plagosur, si pasojë e një sulmi ndaj Konsullatës kineze në qytetin portual pakistanez të Karachit.

Të shtëna me armë u dëgjuan rreth orës 9:30, me atë lokale, jashtë konsullatës që ndodhet në zonën malore Clifton, sipas raportit të policisë. Agresorët, gjithsesi janë vrarë nga forcat e rendit në një shkëmbim zjarri.

Sa i përket ngjarjes së Karachit, të paktën 4 persona të armatosur tentuan të hynin në konsullatë, por u ndalën nga rojet e sigurisë në pikën e jashtme të kontrollit. Dëshmitarët thonë se panë një shpërthim, ndërsa mediet lokale transmetuan pamje të një tymi të dendur që ngrihej mbi qiell. Menjëherë në vendngjarje shkuan forca të shumta policie, duke e rrethuar zonën.

Gjithsesi, stafi brenda konsullatës raportohet të jetë i sigurtë. Një grup separatist, “Ushtria Çlirimtare e Balochistanit” mori përsipër përgjegjësinë e sulmit. Ky grup mendohet se është vetëm njëri nga ata me prirje separatiste që operojnë në provincën e trazuar, e cila ka parë shpeshherë kryengritje nacionalistësh.

“Ne i konsiderojmë kinezët si pushtues, së bashku me forcat pakistaneze”, tha një zëdhënës i grupit për agjencinë e lajmeve AFP. Përgjatë viteve, projektet e ndërtimit dhe punonjësit kinezë në Balochistan janë shënjestruar vazhdimisht dhe në mënyrë të përsëritur nga militantët separatistë.

Në një tjetër incident të kësaj të premteje, të paktën 10 persona janë vrarë pas një shpërthimi në një zonë fisnore të Pakistanit. Shpërthimi ndodhi në një treg të madh, por ende nuk dihet se kush fshihet pas shpërthimit.

Top Channel