Ministri i brendshëm i dekretuar, Sandër Lleshaj, ka vizituar mesditën e së enjtes në Spitalin Ushtarak 6 efektivët e lënduar gjatë protestës së dhunshme para godinës së Parlamentit.

Ai ka biseduar me efektivet që kanë marrë lëndime gjate protestës, ku për disa momente nuk munguan momentet e dhunës, teksa protestuesit tentuan të thyejnë barrikadën e efektivëve për të hyrë brenda godinës së Parlamentit.

“Është për të ardhur keq, është e papranueshme dhe e pakuptueshme që në një ditë krejt normale të na ndodhë një ngjarje anormale që të goditet Policia e Shtetit në krye të detyrës. Policia e Shtetit është vetëm në shërbim të qytetarëve për të mbrojtur qetësinë rendin dhe normalitetin e jetës së qytetarëve. Konstatoj se sot ajo është goditur nga qytetarë të papërgjegjshëm të cilët në shkelje të plotë të ligjit ngrejn dorën mbi Policinë e Shtetit. Po ashtu policia është goditur edhe nga përfaqësues të caktuar politikë të cilët po ashtu në kushte të papërgjegjshmërisë qytetare dhe politike, inspirojnë dhunë ndaj forcave të Policisë së Shtetit”, deklaroi Lleshaj.

“Efektivët janë lënduar me mjete të forta dhe piroteknike, hedhur nga tubuesit mbi punonjësit e Policisë, të cilat dhe janë dërguar në spital për ndihmë të specializuar mjekësore. Një punonjëse policie ka dëmtime më të rënda në krah”, thuhet në një komunikatë të Policisë së Shtetit.

Më tej Policia e Shtetit u bën thirrje protestuesve dhe përfaqësuesve politikë për distancim nga dhuna dhe nga goditjet ndaj punonjësve të rendit.

Top Channel