Pak para fillimit të protestës së pasdites së lajmëruar nga banorët e Unazës së Re, forcat e policisë morën urdhër që rruga në asnjë mënyrë të mos bllokohet.
Por, pavarësisht forcave të shumta të policisë, banorët ia dolën që të bllokojnë sërish rrugën. Me thirrje kundër qeverisë, ata kërkuan që qeveria të tërhiqet nga vendimi i saj.
Banorëve iu bashkua edhe opozita. Kreu i saj, Lulzim Basha ishte aty për të qenë afër protestës. Ai sulmoi kryeministrin Edi Rama si njeriu që frymëzoi dhunën. Rama do të mbajë përgjegjësi për dhunën e ushtruar ndaj banorëve, deklaroi Basha, ndërsa shtoi se policia po përdoret.
“Po përdor sot për të mbuluar vjedhjen prej 40 milionë eurosh dy faktorë: policinë që paguhet nga taksat e shqiptarëve për të zbatuar ligjin dhe ligji është me qytetarët. Ashtu si qytetarët, edhe policia është në anën e ligjit. I vetmi antiligjit është Edi Rama, i cili po grabit 40 milionë euro të shqiptarëve”, u shpreh Basha.
Kryedemokrati replikoi me kryeministrin Edi Rama për “vijën e kuqe”: “Çfarë vije e kuqe u shkel? Ai s’i njeh vijat e kuqe, por të bardhat, ato që merr me hundë”.
Ndonëse policia kishte marrë masa paraprake, protestuesit ia dolën të bllokojnë të dy krahët e rrugës në Unazën e Re.
Top Channel