Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, Presidenti Meta po zhvillon një vizitë zyrtare në Kroaci, ku ka vizituar edhe zona të banuara me shqiptarë të shpërngulur aty shekuj më parë
Gjatë vizitës, në zonën e banuar nga shqiptarë, Presidenti Meta është ndalur edhe tek shkolla “Krune Krstića”, ku mësohet edhe Gjuha Shqipe.
“Emocione të veçanta përjetova gjatë vizitës në Shkollën “Krune Krstića” në Zadar, me nxënësit e mësuesit e gjuhës sonë të bukur, aty ku Ndre Mjeda e Gjergj Fishta kanë folur shqip dhe ku janë shkolluar në gjuhën e tyre amtare breza Arbanasish dhe një plejadë e tërë akademikësh, studiuesish, shkrimtarësh, artistësh e sportistësh, duke krijuar vlerën e përbashkët sa Arbneshe, aq edhe kroate”, shkruan Meta në postimin e tij në Facebook.
Arbanasi është vendbanim në juglindje të gadishullit të Zarës, sot pjesë e qytetit të Zarës. Ky vendbanim është krijuar në shek. e 18 me ardhjen e shqiptarëve nga viset jugore të Liqenit të Shkodrës në tri faza të shpërnguljes (në vitin 1726, 1727 dhe 1733). Banorët e këtij vendbanimi e kanë ruajtur gjuhën e të parëve, me përzierje të kroatishtes dhe dialektit të Venetos.
Top Channel