Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 77 vota pro në parim projektbuxhetin për vitin 2019. Gjithashtu, u miratua me 77 vota pro dekreti për emërimin e Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm.
Mazhoranca miratoi në parim projektbuxhetin e vitit 2019 dhe ligjet fiskale që e shoqërojnë atë.
Ashtu si në komisionet parlamentare, opozita nuk mori pjesë në diskutimet për buxhetin.
Për vitin e ardhshëm, qeveria parashikon të mbledhë 486.5 miliardë lekë në buxhetin e shtetit.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj tha se të ardhurat në arkën e shtetit rriten, edhe pse buxheti ul taksat: “Krahasuar me vitin 2013, ne mbledhim 1,2 miliardë euro më shumë të ardhura. 55% e rrogëtarëve paguajnë 0 tatim mbi të ardhurat, 95% e biznesit paguajnë 0% tatim fitimi ose 5% tatim fitimi”.
Në krahun e shpenzimeve, buxheti parashikon rritje pagash për 65 mijë punonjës publikë, në sektorët e shëndetësisë, arsimit, mbrojtjes dhe sistemit penintenciar.
Investimet publike parashikohen 88.8 miliardë lekë pa përfshirë ndërtimin e 4 rrugëve me koncesion, një çështje që ka hapur debat të nxehtë në publik, por që qeveria e mbron fort.
Për vitin e ardhshëm, qeveria parashikon që të marrë hua të re 32.9 miliardë lekë ose sa 1.9% e prodhimit kombëtar. Por, për shkak të rritjes ekonomike, të cilën qeveria e parashikon 4.3%, borxhi publik pritet të ulet nën 65% e prodhimit kombëtar.
Pas miratimit ne parim, buxheti dhe paketa fiskale do rikthehen për t’u diskutuar nen për nen në komisionet parlamentare dhe më pas për t’u votuar në një seancë tjetër plenare.
Top Channel