Buxheti 2019, Bushati: Reflektohen prioritetet e politikës së jashtme

22/11/2018 11:50

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati gjatë fjalës në Kuvend, ku diskutohet në parim Buxheti i vitit të ardhshëm theksoi se ky buxhet reflekton qartësisht prioritetet e politikës së jashtme, duke qenë se 2019 është një vit përcaktues për sa i përket procesit të fillimit të bisedimeve për anëtarësim.

Ky buxheti gjithashtu konfirmon përpjekjet e të Shqipërisë në përmbushje të detyrimeve ndërkombëtare, dhe më posaçërisht për sa i përket pranisë në NATO, dhe përkatësisë së qartë të Shqipërisë në familjen euroatlantike.

“Linjëzimi 100% i politikës tonë të jashtme me atë të BE është një çështje zgjedhje strategjike. Qytetarët shqiptarë e kanë bërë që në momentin që ne u ndamë me regjimin komunist i cili pasohet me angazhimet tona të plota dhe me kontributin tonë të plotë në fushën e sigurisë, arkitekturën e sigurisë evropiane qoftë në suazën e NATO-s, për dinamizmin konstruktiv që ne luajmë në rajon, por dhe prania jonë dhe ambicia jonë për të marrë drejtimin e organizatave në të cilat deri më sot ne kemi qenë konsumator, me shpresën e dëshirën për tu kthyer në kontributor”, tha Bushati.

Ambicia e Shqipërisë është drejtimi i OSBE-së në 2020, dhe buxheti i vitit të ardhshëm reflekton këtë aspiratë, pasi vitin që vjen nëse vendimmarrja realizohet, Shqipëria bëhet pjesë e Trojkës së OSBE duke marrë mbi vete angazhime dhe një rol më të gjerë në 2019 në Ballkan dhe Mesdhe.

Mbledhjet e përbashkëta, krahas tradicionales me Kosovën janë realizuar dhe me Maqedoninë dhe Malin e Zi për të detajuar projektet e bashkëpunimit ndërkufitar që kanë një impakt të drejtpërdrejte e të prekshëm tek qytetarët e zakonshëm të vendeve tona.

“Po kështu ne do të vazhdojmë dhe në 2019 me këtë praktikë për të thelluar pozicionimin tonë për të rezonuar më shumë konstruktivitet nga ai që Shqipëria përgjithësisht luan në rajon dhe për ta përkthyer një gjë të tillë në më shumë projekte të përbashkëta me fqinjët tanë, sikundër avancimi i të drejta të shqiptarëve në rajon”, tha Bushati më tej.

Duke folur për buxhetin e vitit të ardhshëm ministri Bushati tha dixhitalizimi i shërbimeve konsullore ka prodhuar rezultate të paimagjinueshme që nga krijimi i tij dy vite më parë. “Ky proces edhe në 2019 do të vijojë të mbështetet nga buxheti për të lehtësuar sa më shumë dhënien e shërbimeve transparente me më pak kosto dhe mundësisht me abuzim zero për shtetasit tanë që jetojnë jashtë Atdheut. Sikundër projekte të cilat kanë lidhje të drejt për drejtë me ta, do të vijojnë të intensifikohen dhe pasqyrohen si prioritet dhe në buxhetin e 2019”, tha Bushati.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA