Bashkimi Europian dhe Britania e Madhe kanë rënë dakord për një projektmarrëveshje mbi marrëdhënien e tyre të ardhshme, duke i hapur rrugën paktit për “Brexit”-in që të finalizohet këtë fundjavë.

“Deklarata politike, që përcakton sesi do të funksionojë tregtia, siguria dhe çështje të tjera, është miratuar në parim”, u tha nga Komisioni Europian.

“U kam dërguar 27 vendeve anëtare të BE-së një projekt të deklaratës politike mbi marrëdhënien e ardhshme mes BE dhe Britanisë së Madhe. Presidenti i Komisionit më informoi se për të ishte rënë dakord në nivel negociatorësh dhe është arritur konsensusi në parim në nivel politik”, shkruante në Tëitter presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk.

Nëse marrëveshja dhe deklarata politike nënshkruhen në Samitin e BE-së, të dielën, atëherë kryeministrja britanike Theresa May do të përqëndrohet në arritjen e akordit në Parlament, ku aktualisht nuk ka shumë mbështetje.

Zhvillimi vjen pas një takimi në Bruksel, mbrëmjen e së mërkurës, mes Mayt dhe presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, Britania e Madhe dhe BE do të përdorin deklaratën politike, si bazë për një marrëveshje tregtare që do të nënshkruhet gjatë periudhës 21-mujore të tranzicionit, që fillon pas 29 marsit, kohë kjo kur Britania do të vazhdojë të jetë pjesë e tregut të përbashkët europian dhe unionit të doganave.

Top Channel