Task Forca ‘shkund’ ALUIZNI-n e Vlorës dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor në Fier

21/11/2018 13:15

Në sitën e kontrollit të Task Forcës Antikorrupsion kanë rënë gjatë javës së kaluar një numër i lartë zyrtarësh, që nga drejtuesit e deri tek inspektorët, të akuzuar për korrupsion.

Në konferencën e mbajtur sot për shtyp, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tha se janë kryer kontrolle në Drejtorinë e Hetimit Tatimor në Fier dhe në ALUIZNI-n e Vlorës ku janë rekomanduar në total 24 masa disiplinore dhe 3 largime nga puna.

Nga Kontrolli në Drejtorinë e Hetimit Tatimor në Fier, Task Forca konstatoi se 24 zyrtarët, 12 prej të cilëve kanë marrë paralajmërim për përjashtim nga puna dhe 12 të tjerë vërejtje me shkrim kanë lejuar tregtarë të ndryshëm të regjistrojnë, mbajnë apo transportojnë mallra pa dokumentacionin përkatës tatimor, si dhe punonjës të padeklaruar.

Gjatë fjalës së saj Gjonaj sqaroi se kontrolli në ALUIZNI-n e Vlorës nisi pas një denoncimi qytetar në platformën e bashkëqeverisjes shqipëriaqëduam.al për legalizimin e një shtese anësore të një pallati shumëkatësh pranë stadiumit “Flamurtari” në Vlorë.

Nga kontrolli administrativ rezultoi se Drejtori, përgjegjësi i sektorit dhe specialisti pranë ALUIZNIT-t të Vlorës, për të cilët është kërkuar largimi nga puna, nuk kanë respektuar procedurat dhe kërkesat e parashikuara në kuadrin ligjor në fuqi duke legalizuar një shtesë që cenon ndër të tjera edhe vëllimin ose pamjen e jashtme të murit mesjetar të Kalasë së Skelës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA