Robert Kubica ia del mbanë dhe rikthehet në Botërorin e Formulës 1. Piloti polak është njëri prej zyrtarëve të skuadrës Williams, me të cilën do të garojë në kampionatin e vitit të ardhshëm.
Shtatë vite pas aksidentit të frikshëm që pësoi në “Rally”-n e Andorrës, Kubica, dikur pilot i Renault, kishte vendosur si objektiv rikthimin në garat e Formulës 1 dhe në fund ia doli.
Polaku do të jetë shok skuadre te Williams me George Russell, e tashmë mungon vetëm zyrtarizimi i këtij lajmi, që me siguri do të bëhet ditën e enjte në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të Çmimit të Madh të Abu Dhabit, që mbyll këtë sezon të Formulës 1.
Robert Kubica, prej një viti ishte në rolin e pilotit të tretë dhe ka kryer një sërë testesh e xhirosh në pista, pikërisht me Williams, drejtuesit e të cilit me sa duket kanë mbetur të kënaqur, aq sa vendosën që ta bëjnë atë një prej pilotëve zyrtarë të saj.
Duket se polaku është në gjendje të mirë fizike, diçka për të cilën te Williams kishin jo pak dyshime, por në fund ato u fashitën dhe Kubica fitoi të drejtën për të garuar sërish në këtë kompeticion, duke lënë jashtë rusin Sirotkin.
Top Channel