Në Shqipëri çmimi i naftës është njësoj sa në Francë dhe më shtrenjte se në vendet fqinje. Arsyeja janë taksat e larta mbi karburantet, por kostot për shqiptarët janë më të mëdha se francezët dhe shkak është cilësia e keqe e karburanteve që shiten këtu.

Tregtarët e mëdhenj të naftës thonë të kundërtën, por ata që e paguajnë tregojnë pasojat.

“Nafta këtu vjen e cilësisë së dobët. Detyrohemi shpesh të shkojmë në servis, kësaj herë kam shkuar dhe kam vënë pompën e naftës. U fol njëherë që ka ardhur me squfër. Pagova 510 mijë lek (të vjetra) se bëra pastrim serbatori e të gjitha”, shprehet një taksiste.

Po çfarë ndodh në serviset e automjeteve në Tiranë. Pjesa me e madhe e tyre trajtojnë problemet që shkakton puna e keqe e motorëve që djegin karburantet pak cilësorë. Të parat që dëmtohen janë filtrat e më pas edhe impianti i shkarkimit dhe katalizatori.

“Pjesa e karburantit naftë apo benzinë do të uli shumë jetëgjatësinë e pjesëve të makinës. Në rast se do të jetë e një kualiteti të dobët unë mund të them që djegia e një naftë që është e pasur, pra jo e pastruar mirë. Rritja e temperaturës dhe dalje e gazrave me temperaturë jo të mirë do të ndikojë që të gjitha këto pajisje që shikon këtu do t’i bllokojë para kohe. Këto janë filtra. Filtra që janë shpikur për të ulur nivelin e ndotjes. Të gjitha këto filtra në rast se jashtë Shqipërie mund të bllokohen njëherë në 4-5 vjet nga përvoja punës ndodh që këtu bllokohen çdo gjashtë muaj. Me katalizatorin çfarë ndodh? Me katalizatorin bllokohen para kohe”, sqaron Armando Myftare, inxhinier mekanik..

Këto janë dëmet fizike të mjetit, ndërsa ekspertët tregojnë se një karburant i keq që rëndom shitet në Shqipëri konsumohet më shpejt dhe shqiptarëve ju duhen më shumë litra se sa europianëve për të përshkruar të njëjtën gjatësi rruge.

Top Channel