“Vangjush Dako i fshihet opinionit publik, por llogaritë i ka bërë gabim”, është shprehur deputetja e Partisë Demokratike, Valentina Duka, gjatë një deklarate për mediet nga selia e partisë, duke vijuar si përditë kërkesën e PD-së për arrestimin e kryebashkiakut të Durrësit.
Por, “fshehja dhe heshtja për krimin elektoral në bashkëpunim me bandat, pazaret okulte që bën me Edi Ramën dhe Pprokurorinë, nuk prishin provat e dosjes voluminoze 339”, theksoi ndër të tjera zonja Duka.
Ja deklarata e plotë:
Vangjush Dako është fshehur nga opinion publik me shpresën se duke mos u shfaqur para qytetarëve, duke heshtur dhe duke mos dhënë llogari, krimi i tij elektroal do të harrohet.
Vangjush Dako i ka bërë llogaritë gabim!
As fshehja, as heshtja, as pazaret e tij okulte që ai bën me Edi Ramën dhe prokurorinë, nuk mund të prishin provat e krimit të tij, blerjes së votave me bandat.
Përgjimet në dosjen 339 janë me qindra. Ato që kanë dalë deri tani janë vetëm fillimi.
Përgjimet në dosjen 339 nxjerrin zbuluar bashkëpunimin e Vangjush Dakos me bandën e Avdylajve për të vjedhur votat në Qarkun e Durrësit, në këmbim të favoreve në bashkinë e Durrësit dhe deri në kryeministri.
• Biseda e shkurtit 2017 me Altin Avdylajn, me nofkën Niçja, të cilit i premton favore, e provon këtë.
• Biseda e Dakos me Niçen për të falenderuar kreun e bandës, Astrit Avdylaj, dy ditë pas zgjedhjeve e provon këtë.
• Telefonatat e bandës drejtuar Dakos, kur rrethohet nga forcat e FNSH-së e provon këtë.
Në dosjen 339 provohet skema që Edi Rama ndoqi në Durrës, Dibër, Lezhë, Shkodër, Elbasan e në të gjithë Shqipërinë, për të bashkëpunuar me bandat lokale të krimit të organizuar, sipas pazarit “vota në këmbim të tenderave dhe mosndëshkimit prej policisë”.
Vangjush Dako është emblema e kësaj qeverie të dalë nga votat e blera të shqiptarëve të varfër, prandaj ai e ka vendin prapa hekurave si shembulli i parë i ndëshkimit të krimit elektoral.
Pa ndëshkimin e modelit që blen vota dhe kërcënon zgjedhësit, duke instaluar një pushtet ilegjitim kundër interesit të qytetarëve, në Shqipëri nuk ka për të patur as stabilitet, as normalitet demokratik.
Top Channel