Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski përmes një postimi në Facebok ka bërë të ditur se autoritetet hungareze kanë pranuar kërkesën e tij për azil politik në këtë vend.
“Sot, Republika e Hungarisë, si vend anëtar i BE-së dhe NATO-së, i është përgjigjur pozitivisht kërkesës sime të parashtruar më parë me kërkesën për status politik për shkak të ndjekjes politike në Republikën e Maqedonisë. Në kërkesën për azil politik kanë theksuar se të njëjtën e kërkoj për shkak të ndjekjes politike nga Qeveria e re e udhëhequr nga partia LSDM….
Unë nuk kam ikur nga drejtësia, por duke shfrytëzuar metoda tjera demokratike ndërkombëtare vazhdoj të kërkoj drejtësinë për mua dhe të gjitha viktimat tjera të ndjekjes politike në Maqedoni”, ka shkruar veç tjerash Gruevski duke akuzuar qeverinë për siç ka thënë, kaos, politizim të gjyqësorit, rrënimin e shtetit juridik, rrezikimin e interesave kombëtare dhe shtetërore.
Njoftimi i Gruevskit vjen vetëm disa çaste pasi Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë i ka dërguar autoriteteve të Hungarisë kërkesën për ekstradimin e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski.
Kërkesa për ekstradim mbështetet në vendimin e Gjykatës Penale të Shkupit, e cila e ka dënuar Gruevskin me dy vjet burgim, për shpërdorimit të detyrës zyrtare, por edhe për katër procese tjera gjyqësore që po zhvillohen kundër tij
“Republika e Maqedonisë kërkon që personi, Nikolla Gruevski të ekstradohet dhe duke marrë parasysh seriozitetin e veprave penale, kërkojmë që i njëjti të ndalohet dhe të mbahet në paraburgim për faktin se kundër të njëjtit është shpallur edhe fletarrest ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Drejtësisë duke hedhur poshtë pretendimet e ish-kryeministrit Gruevski se ndaj tij ka pasur kërcënime për jetë.
“Nikolla Gruevski është mbrojtur në liri dhe në asnjë procedurë gjyqësore nuk i ishte shqiptuar masa e paraburgimit. Kishte të angazhuar më shumë avokatë sipas përzgjedhjes së tij me të cilët kishte komunikime duke i shfrytëzuar të gjitha të drejtat në bazë të ligjit për procedurë penale. Republika e Maqedonisë është shtet i sigurt dhe nuk ndodhet në asnjë konflikt të brendshëm apo ndërkombëtar, që do të vinte në rrezik jetën dhe integritetin e ndonjë personi. Si ish-kryeministër i Maqedonisë, Nikolla Gruevski ka pasur edhe sigurim personal prej gjashtë pjesëtarëve të MPB-së, që i takojnë në bazë të ligjeve në fuqi. Gjithashtu theksojmë faktin se Gruevski asnjëherë nuk ka paraqitur ndonjë rast kërcënimi për jetën e tij”, është thënë në komunikatën e dikasterit të drejtësisë duke mohuar gjithashtu pretendimet e të arratisurit se ndaj tij ka pasur ndjekje me motive politike.
“Asnjë nga veprat për të cilat Nikolla Gruevski është dënuar apo janë në procedurë gjyqësore nuk paraqet vepër politike apo vepër penale ushtarake, përkatësisht asnjë nga to nuk parashihet në konventën evropiane për ekstradim si vepra për të cilat mund të refuzohet ekstradimi. Të drejtat e Nikolla Gruevskit në çdo moment janë siguruar përfshirë edhe të drejtën e mbrojtjes para organeve gjyqësore, në përputhje të plotë me Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive”, ka vlerësuar Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë.
Duke komentuar njoftimet e mediave hungareze se ish-kryeministri, Nikolla Gruevski tashmë ka fituar të drejtën e azilit, ministrja maqedonase, Renata Deskoska ka thënë se pavarësisht kësaj, kërkesa për ekstradim veçse është dorëzuar.
“Procedurat për azil zgjasin shumë, vetëm nëse nuk kanë zbatuar ndonjë procedurë jashtëzakonisht të shpejtë”, ka deklaruar ministrja Deskoska.
Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski është arratisur javën e kaluar drejt Hungarisë.
Autoritetet e Maqedonisë kanë qenë në kërkim të tij, pasi ai është dënuar me dy vjet burgim për shpërdorim të detyrës zyrtare.
Top Channel