Gjykata, sërish kundër Trumpit. Bllokon urdhrin për mosdhënien e azilit

20/11/2018 12:14

Një gjykatës federal ka bllokuar një urdhër të lëshuar nga presidenti Trump, për t’iu mohuar azilin emigrantëve që kalojnë ilegalisht kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara.

Gjykatësi i distriktit në San Francisco dha vendimin e bllokimit të përkohshëm të urdhrit, pasi dëgjoi argumentet e grupeve të të drejtave civile.

Trump nënshkroi urdhrin më herët gjatë këtij muaji, si reagim ndaj karvanit të emigrantëve që po i afrohej kufirit. Ai citoi shqetësime të interesit kombëtar, por u kundërshtua nga grupet e të drejtave civile. Këto të fundit e çuan rastin para gjykatës, duke argumentuar se urdhri i Trumpit ishte i paligjshëm.

Në vendimin e tij, gjykatësi tha se legjislacioni aktual e bën të qartë se, çdo i huaj që arrin në SHBA mund të aplikojë për azil. Ai tha se urdhri i 9 nëntorit i presidentit Trump është një devijim ekstrem nga praktikat e mëparshme.

“Pavarësisht qëllimit të autoritetit të presidentit, ai nuk mund të rishkruajë ligjet e emigracionit për të imponuar kushte që Kongresi i ka ndaluar”, tha gjykatësi.

Me mijëra emigrantë nga vendet e Amerikës Qendrore po udhëtojnë drejt veriut prej javësh, në përpjekje për të arritur kufirin SHBA-Meksikë. Ata thonë se po i largohen persekutimit, varfërisë dhe dhunës në vendet e tyre si Hondurasi, Guatemala dhe El Salvadori.

Në prag të zgjedhjeve të mesit të mandatit, Trump tha se shumë nga emigrantët ishin kriminelë dhe i quajti karvanët, një pushtim, duke urdhëruar edhe dërgimin e trupave ushtarake në kufi.

Top Channel