Është zhvilluar edhe sot gjyqi për vrasjen e të riut Mavri Mihali. Në Gjykatë kanë dhënë dëshmitë e tyre dëshmitarët e ngjarjes. I riu humbi jetën i goditur me thikë pas një sherri për një karikues celulari me vlerë 500 lekë.

Procesi gjyqësor ndaj katër të akuzuarve për vrasje me paramendim të Marvi Mihalit në korrik të viti 2017, ka vijuar me pyetjen e dëshmitarëve të akuzës.

Në seancë u pyetën katër të rinj që shoqëronin të ndjerin mbrëmjen e ngjarjes mes të cilëve edhe Armend Haxhiu, personi që duhej të dorëzonte karikuesin e celularit që i kishte shitur Dejvis Bitrajt të akuzuarit kryesor për këtë vrasje.

Haxhiu deklaroi se i kishte thirrur shokët e tij për të shkuar dhe sqaruar situatën dhe se do t’i jepte ose karikuesin ose vlerën prej 500 lekësh të rinj. Por në momentin kur kishin mbërritur në vendngjarje, Haxhiu deklaron se kishte dëgjuar Dejvis Bitraj që e kishte murmuritrur duke e sharë nga familja dhe e kishte goditur me grusht duke ndezur një konflikt masiv ku mbeti i vrarë Marvi Mihali, i cili siç rezultoi edhe nga dëshmitë kishte ndërhyrë për te ndarë sherrin e nisur mes Armend Haxhiut dhe Dejvis Bitrajt.

Të gjithë dëshmitarët pohuan se i ndjeri Mihali ishte goditur edhe pasi ishte i shtrirë nga goditja me thikë dhe se në vendngjarje ishin më shumë se një person me thika.

Ndërkohë një tjetër fakt që pohuan të gjithë dëshmitarët e pyetur, ishte se gjatë marrjes në pyetje në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ishin ndjerë të trysnuar nga oficerët e policisë gjyqësore të cilët shpesh herë i thonin që mos i merrni në qafë të gjithë.

Gjatë dëshmive familjarët e të ndjerit që janë pjesë në këtë proces kanë replikuar disa herë me avokatët mbrojtës të të pandehurve, ndërsa nuk ka munguar as momentet emocionale. Procesi do te vijoje me pyetjen e dëshmitarëve të tjerë të thirrur nga Prokuroria.

Top Channel