Meksikë, protesta antiemigrantë në qytetin kufitar të Tijuanës

19/11/2018 08:53

Qindra banorë të qytetit meksikan të Tijuanës, në kufi me Shtetet e Bashkuara, kanë dalë nëpër rrugë në shenjë proteste ndaj ardhjes së mijëra emigrantëve që po tentojnë të hyjnë në Amerikë. Rezidentët lokalë u kanë bërë thirrje emigrantëve të largohen nga Tijuana për në Kaliforninë jugore.

Emigrantët janë pjesë e karvanit të gjatë të amerikano-qendrorëve, të cilët kanë udhëtuar përmes Meksikës për të mbërritur në Shtetet e Bashkuara, atje ku synojnë të kërkojnë azil. Për shkak të mbërritjes së tyre, Amerika dhe Meksika së bashku kanë ndërmarrë masa të rënda sigurie në pikëkalimet kufitare.

Kryebashkiaku i Tijuanës, Juan Manuel Gastelum tha të premten se, priste që numri i emigrantëve që do të mbërrijnë në qytet në javët në vijim të mbërrijë deri në 10 mijë, duke paralajmëruar se qyteti nuk është i përgatitur për të menaxhuar një “ortek” të tillë human.

Strehat e qytetit janë tejmbushur që tani, ndërsa autoritetet kanë kërkuar ndihmë nga qeveria qendrore. Fjalët e Gastelumit u shfrytëzuan nga presidenti amerikan, Donald Trump, gjatë së dielës.

“Kryebashkiaku i Tijuanës në Meksikë sapo theksoi se qyteti i tij është i papërgatitur për të menaxhuar kaq shumë emigrantë, gjë që mund të zgjasë për 6 muaj”, shkroi ai në Twitter. “Po ashtu, edhe Shtetet e Bashkuara nuk janë të përgatitura për këtë pushtim, ndaj nuk do ta pranojmë. Ata janë duke kryer krime dhe duke shkaktuar probleme të mëdha në Meksikë. Kthehuni në shtëpi!”.

Ndjenjat antiemigrantë janë vërejtur tashmë edhe nëpër rrugët e Tijuanës. “Ata janë pushtues, janë të armatosur. Duhet të ikin nga vendi ynë”, thërrisnin protestuesit, sipas raportit të agjencisë së lajmeve “Reuters”.

Top Channel