Në Gjirokastër, një grup familjarësh të ish-të përndjekurve politikë kanë përkujtuar një nga ngjarjet më të rënda, atë të ekzekutimit të 11 civilëve prej skuadrave partizane, në pjesën e pasme të kalasë së Gjirokastrës, pranë gjimnazit dhe në disa banesa.

Plot 75 vite më parë, kjo ngjarje shënoi edhe fillimin e njërës prej periudhave më të errëta të ndërshkimit dhe eliminimit të antikomunistëve. Qindra dhe mijëra vetë vuajtën dënimet që prej vitit 1944 deri në vitin 1967, në burgun famëkeq të kalasë së Gjirokastrës. Ai u kthye në një simbol terrori për të gjithë qytetin. Të ekzekutuarit pa gjyq, sipas dëshmive të banorëve të qytetit, u groposën në varre masive në pjesën e pasme të kalasë.

Arjeta Kokalari, përfaqësuese e të përndjekurve lokalë tha se, padrejtësitë ndaj atyre që u sakrifikuan për idetë perëndimore, të ndryshme prej komunistëve, vijojnë ende. Pas 3 dekadash demokraci, të zhdukurit nuk kanë ende varre.

Në ceremoninë që përkujtoi masakrën e nëntorit të 75 viteve më parë morën pjesë edhe familjarë të viktimave. Disa prej tyre sollën momente tronditëse të krimeve të kryera nga komunistët.

Burgu i kalasë së Gjirokastrës ishte i njohur si një prej vendizolimeve më të frikshme, ku hetuesia ushtarake e kohës përdori tortura çnjerëzore ndaj të burgosurve, që nuk përfaqësonin ushtarakë por ishin pjesë e popullsisë civile, shumica bij të familjeve më të njohura qytetare të Gjirokastrës. Dhuna vijoi më tej me sekuestrimin e pasurive të të burgosurve, shpronësimet në masë dhe izolimin në kampe pune të familjarëve të tyre.

Top Channel