Bashkia e Tiranës synon që të ofrojë shërbimet sa më pranë qytetarëve. Zyrat e njësive administrative po afrohen pranë banorëve gjithnjë e më shumë.

“Më vjen mirë që i kemi sjellë shërbimet për ndihmën ekonomike, certifikatat apo gjendjen civile në zemër të Njësisë 8. Jemi në një situatë ku 70% e banorëve e kanë Njësinë Administrative vetëm 5 minuta larg në këmbë. Do të thotë se shumica e Njësisë 8 sot do të shërbehet në një distancë shumë të vogël në zemër të njësisë, në zonën e Selvisë. Më vjen mirë që për 47 mijë banorë, të cilët shkonin tek “Zogu I” për të marrë të gjitha shërbimet, sot jo vetëm kemi liruar Njësinë 9 nga fluksi, por e kemi rikthyer bazën e gjithë shërbimeve komunitare në zemrën e Njësisë”, deklaroi kryebashkiaku i Tiranës.

Veliaj u bën thirrje qytetarëve që të deklarojnë vendbanimin e tyre në zyrat e gjendjes civile sipas njësisë administrative përkatëse, duke përfituar edhe nga amnistia.

“Dua t’i ftoj të gjithë banorët të regjistrohen në këtë njësi, jo vetëm banorët e Njësisë 8, pjesa e vjetër e Tiranës, por edhe ata të pjesës së re që vazhdon deri te Bregu i Lumit. Është e rëndësishme që të dimë saktësisht sa banorë ka secila njësi, që edhe fondet t’i japim në përpjesëtim të drejtë me numrin e banorëve. Ndaj, ftesa për të gjithë banorët, jo vetëm këtu në Njësinë 8, ku kemi një hapësirë mbi 500 metra katrorë, ku çdo gjë bëhet lirshëm, pa u shtyrë nëpër kangjella, pa pritur në radhë, me një shërbim dhe mjedis të kulturuar, por edhe në njësitë e tjera 12, 13, dhe 14, respektivisht te Fresku, te Kopshti Botanik dhe zona e Unazës së Re, të regjistrohen aty. Sa më të saktë ta kemi listën e banorëve, aq më të shumta do të jenë fondet”, tha Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA