Ndonëse protezat dhe pajijse të tjera mjekësore janë futur në listën e barnave me rimbursim, qytetarët nuk po përfitojnë prej tyre.
Përgjigjja që ata marrin nga mjekët është se…duhet t’i blejnë vetë. Top Channel sjell rastin e një nëne, që protezën e njërës këmbë e bëri me paratë që mblodhi kur i vdiq e ëma, ndërsa për të bërë këmbën tjetër, që i kushton 4.000 euro, bën apel për ndihmë, me një thirrje drejtuar edhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Ndërsa njerëzit sorollaten, Ministria e Shëndetësisë zvarrit tenderin për të furnizuar spitalet rajonale me pajijse mjekësore të këtij lloji. Vetëm Spitalit të Traumës në Tiranë i kanë mbetur disa fonde, por janë të papërfillshme kundrejt kërkesave të qytetarëve dhe aksidenteve të shumta që ndodhin çdo ditë në të gjithë vendin.
Pothuajse e njëjta situatë edhe me ndërhyrjet e kataraktit të syrit. Edhe lentet konsiderohen pajisje mjekësore dhe pacientët duhet t’i përfitojnë falas. Madje, me vendim të Këshilit të Ministrave, ndërhyrjet e kataraktit janë futur te paketat mjekësore, që do të thotë se me fondet e shtetit mund ta kryejnë ndërhyrjen në spital privat.
Ndërkohë në Qendrën Spitalore Universitare është bërë tenderi dhe është shpallur fituesi, por këtë radhë është Komisioni i Prokurimeve, ai që zvarrit procedurat, pasi për fituesin e këtij tenderi ka pasur ankesë.
Të gjitha këto procedura, qoftë tendera që nuk janë hapur ende as për vitin që vjen, qoftë zvarritje për shkak të afateve kohore, në fund është qytetari, i cili nga njëra anë thuhet se është në fokus dhe se përfitojnë nga rimbursimi, por në realitet e gjen të endet rrugëve dhe pa marrë shërbimet që trumbetohen me të madhe.
Top Channel