Kushte atmosferike të qëndrueshme dhe masa ajrore të nxehta, si parashikohet moti për këtë të martë Tre orë para se të skandonte afati Kushtetues, Presidenti Ilir Meta dekretoi rreth orës 21: 00 të së premtes, Sandër Lleshin si ministër të Brendshëm duke zgjidhur kështu ngërçin e krijuar për një nga anëtarët më të rëndësishëm të qeverisë dhe një moment delikat sa i takon situatës së rendit në vend.
Në mesditë, kreu i shtetit e paralajmëroi këtë vendim, pasi dekretoi nxjerrjen në lirim të Gjeneral-Brigade, Sandër Lleshit.
Kjo ishte edhe arsyeja që Ilir Meta nuk e firmosi propozimin e parë të Kryeministrit për zotin Lleshi, lëvizje kjo që solli një krisje me mazhorancën socialiste, për të cilën Rama uroi që të mos shkonte në thyerje.

Lleshi aktualisht është zv/ministër i Brendshëm, pasi u refuzua herën e parë që të dekretohej nga Meta si pasues i Fatmir Xhafajt. Kryeministri Rama dukej se ishte në dijeni të këtij vendimi të Metës, dhe pak çaste pas dekretit, reagoi menjëherë në Twiter: “Dekretimi i Sandër Lleshit ministër i brendshëm, një shembull kuptimplotë i faktit se edhe kur duket, sikur krisjet janë të pariparueshme a thyerjet të pashmangshme, ka gjithmonë një rrugëzgjidhje nëse ka Vullnet të Mirë. Ministri i ri njeriu i duhur në vendin dhe kohën e duhur”, reagoi Rama.
Dekretimi i Sandër Lleshit ministër i brendshëm, një shembull kuptimplotë i faktit se edhe kur duket, sikur krisjet janë të pariparueshme a thyerjet të pashmangshme, ka gjithmonë një rrugëzgjidhje nëse ka #VullnettëMirë? Ministri i ri njeriu i duhur në vendin dhe kohën e duhur?
— Edi Rama (@ediramaal) November 16, 2018
Gjatë së premtes presidenti Meta pati një takim me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, i cili kishte hyrë si ndërmjetës mes tij dhe Kryeministrit Rama.
Për dekretimin e Lleshit reagoi edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
“Me apo pa Llesh, Ministria e Brendshme ka shkuar për dreq sa kohë kryeministër është ai që mbron me thonj kriminelët dhe politikanët e lidhur me krimin, nga Dako te Balla, nga Tahiri e Xhafaj te Gjiknuri, Rrahja, Çyrbja e Sejdini me shokë. Peshku është qelbur nga koka. Nga koka duhet pastruar!”, reagoi Basha.
Me a pa Llesh MB ka shkuar për dreq sa kohë kryeministër është ai që mbron me thonj kriminelët dhe politikanët e lidhur me krimin, nga Dako te Balla, nga Tahiri e Xhafaj te Gjiknuri, Rrahja, Çyrbja e Sejdini me shokë. Peshku është qelbur nga koka. Nga koka duhet pastruar!
— Lulzim Basha (@lulzimbasha_al) November 16, 2018
Dekreti i Metës për Sandër Lleshin pritet të votohet të enjten që vjen në Parlament dhe pas betimit në Presidencë, nis detyrën si Ministër i Brendshëm.
Top Channel