Mbrëmjen e së shtunës, Kombëtarja shqiptare e futbollit do të përballet me atë skoceze në “Loro Boriçi” të Shkodrës, ndeshja e fundit kjo sa i përket Ligës së Kombeve për kuqezinjtë, e cila do të përcaktojë shumë mbi renditjen, e rrjedhimisht qëndrimin ose jo në Ligën C të turneut më të ri të UEFA-s.
Në konferencën e sotme për shtyp , i shoqëruar nga kapiteni i skuadrës Mërgim Mavraj, trajneri italian Christian Panucci foli për rëndësinë e këtij takimi, duke pranuar se pret nga ekipi të arrijë një rezultat pozitiv.
“Është e qartë që nesër duhet të shënojmë gol. Në Izrael kemi krijuar shumë raste, por na ka munguar finalizimi. Nesër kemi përgatitur disa lëvizje taktike dhe shpresoj të jemi më konkretizues para portës”, tha Panucci, i pyetur mbi ngërçin e repartit sulmues, me kuqezinjtë që kanë shënuar vetëm një gol në këtë edicion.
Ndërkohë, i vënë me “shpatulla pas murit” nga konstatimi i gazetarëve, se në vitin 2018 kuqezinjtë kanë pasur ecurinë më të keqe të 10 viteve të fundit, Panucci nuk e ngarkon të gjithë përgjegjësinë te vetja e tij.
“Ju i referoheni gjithmonë Kosovës dhe Ukrainës, që kanë qenë ndeshje miqësore. Megjithatë, e dimë se rezultatet janë të rëndësishme dhe kemi fituar vetëm përballjen me Izraelin. Mund të kishim fituar edhe në Izrael, po të kishim më shumë fat dhe përqëndrim para portës”, u shpreh tekniku italian.
Panucci ka dashur të shuajë disi zërat mediatikë, që flasin për vendosjen e fatit të Panuccit pas takimit të fundit me Skocinë në Ligën e Kombeve dhe Uellsin në miqësore, duke ia faturuar këtë gjë fjalëve të shprehura nga presidenti i FSHF-së, Duka.
“Unë bëj punën time me shumë pasion e shumë seriozitet, kështu që një gazetë nuk më vë aspak nën presion. Ajo që është thënë, nuk është shprehur nga Duka personalisht”.
Vetëm pak ditë më parë, Panucci u ankua se djemtë e skuadrës kuqezi nuk komunikojnë sa duhet me njëri-tjetrin në fushë.
“Është e vërtetë që skuadra komunikon pak në fushë dhe për këtë edhe lojtarët janë të ndërgjegjshëm. Shpresoj që nesër të shoh lojtarë që flasin seriozisht me njëri-tjetrin, pasi është shumë e rëndësishme për rezultatin. Si mundemi ta fitojmë ndeshjen? Vetëm duke shënuar më shumë gola se kundërshtari”, tha Panucci.
Top Channel