Të paktën 20 persona janë proceduar penalisht nga Policia e Tiranës, për tubim të paligjshëm dhe pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit, gjatë protestave të ditëve të fundit të banorëve të “Unazës së re”.

Protesta kulmoi paraditen e së enjtes para Bashkisë së Tiranës, ku disa efektivë të Policisë Bashkiake mbetën të lënduar lehtë, e ku dyshohet se u përdor edhe koktej molotovi.

Për këto episode, burime nga “blutë” e kryqyetetit thonë se disa prej shtetasve të proceduar, banorë të “Unazës së re” ose mbështetës të protestës, akuzohen edhe për kundërshtim të punonjësve të policisë.

Kallëzimet në Prokurori për këta shtetas, që do të ndiqen në gjendje të lirë, janë referuar nga Komisariatet Nr. 1 dhe 6, që mbulojnë edhe territoret ku janë zhvilluar protestat.

Banorët, shtëpitë e të cilëve preken nga ndërtimi i projektit për “Unazën e re” kanë paralajmëruar vijimin e protestave deri në dëmshpërblim të plotë dhe plotësim të kushteve.

Ndërkohë, për banorët me probleme në dokumentacionin e banesave, autoritetet thonë se do të trajtohen me bonus qiraje për 3 vite dhe prioritet në programet e banesave sociale.

Top Channel