Sistemi i videoarbitrimit do të përdoret në kampionatin më të fortë në botë, Premier League, duke nisur nga sezoni i ardhshëm.
Skuadrat e elitës në Angli votuan në favor të përdorimit të teknologjisë në Premier League, duke iu bashkuar revolucionit që preku edhe Spanjën, Italinë e Gjermaninë, si dhe u aplikua me sukses edhe në Botërorin e kësaj vere.
Kështu, arbitrat e Premier League do të ndihmohen nga pamjet vizive dhe asistenca jashtë fushës, pasi 20 skuadrat më të mira vendosën më në fund t’i dorëzohen presionit, duke lënë mënjanë mendimin e konservatorëve të futbollit në vendin ku u shpik ky sport.
Duke nisur nga sezoni 2019-2020, sistemi “VAR” do të jetë i pranishëm në çdo stadium në kampionatin më të fortë të planetit.
Ndërkohë, programi i testeve jo në mënyrë direkte që bëhet aktualisht në Premier League do të vazhdojë për pjesën e mbetur të sezonit. Fokus i veçantë do të jetë në ndeshjet e së shtunës, me protokollin e qartë për komunikimin e vendimeve të “VAR”-it ndaj tifozëve.
“Premiership” bëhet kështu kampionati i fundit nga 5 ligat madhore kontinentale, që kishin aplikuar më herët sistemin e videoarbitrimit në futboll.
Top Channel