Ambasadori francez në Beograd, Frederic Mondoloni, i ka kërkuar falje presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, pasi ky i fundit është zemëruar për mënyrën si është trajtuar gjatë shënimit të 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore në Paris.
Ambasadori Mondoloni ka kërkuar falje një ditë pasi Vuçiç mori pjesë në ceremonitë e zhvilluara në Paris me rastin e 100-vjetorit të fundit të Luftës së Parë Botërore, bashkë me dhjetëra liderë të tjerë botërorë.
Në ceremoni, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka qenë afër liderëve të Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa Vuçiç ka qenë i ulur në anën përballë.
“Nuk mund të besoja se çfarë po shihja para meje, duke e ditur sakrificën e popullit serb në Luftën e Parë Botërore”, u shpreh Vuçiç.
Ambasadori francez ndërkohë tha se përcaktimi i vendeve në ceremoninë e Parisit ka qenë “një gabim i pamenduar” dhe i ka kërkuar Vuçiçit dhe popullit serb ndjesë.
“Serbia ka humbur pothuajse një të tretën e popullsisë në luftë, 62 për qind të të gjithë burrave. Nuk e di se çfarë ka ndodhur (në Paris)”, është shprehur ambasadori. Vuçiç më pas ka falënderuar Mondolonin përmes një postimi në Twitter për “fjalët e mrekullueshme dhe respektin që ka treguar për viktimat serbe”.
Top Channel