Dy muaj pas humbjes turpëruese në Spanjë, me rezultatin 6-0, Kroacia ka arritur të rikuperojë forcat dhe të mposhtë në ndeshjen e kthimit kombëtaren “La Roja”, madje duke i lënë në duar një faturë të kripur: atë të rrezikimit të kualifikimit në “play off”-in për të fituar trofeun e parë në histori të Ligës së Kombeve.
Në Zagreb, Kroacia mposhti me rezultatin 3-2 Spanjën, me të gjitha golat që u lanë për t’u shënuar në pjesën e dytë, pas portave të paprekura në 45 minutat e para. Kramariç dhe dy gola të Jedvaj ishin ato që i dhuruan 3 pikë të vyera kroatëve nënkampionë të botës, ndërsa për spanjollët barazuan përkohësisht Ceballos (1-1) dhe Ramos me penallti (2-2).
Kur u duk se Spanja do të shkonte e qetë drejt biletës së “play off”-it, pasi në ndeshjen e fundit mes Anglisë dhe Kroacisë, “3 luanëve” do t’u duhej të fitonin me 6 gola diferencë, ata mposhten dhe tashmë nuk kanë asgjë në dorën e tyre. Fatet e grupit 4 të Ligës A do të vendosen pikërisht në “Wembley”, ku në rast fitoreje për njërën prej dy ekipeve do të nënkuptonte kualifikim në “play off”, ndërsa në rast barazimi mes Anglisë dhe Kroacisë, të dyja do të mbeteshin jashtë, me nënkampionët e botës që do të zbrisnin në Ligën B.
Një sukses të rëndësishëm në Ligën e Kombeve regjistroi Belgjika ndaj Islandës. Kombëtarja që kryeson renditjen e FIFA-s u imponua përmes rrjetave nga Batshuai, e tani me 9 pikë në 3 ndeshje i mjafton një barazim në ndeshjen e fundit ndaj Zvicrës.
Top Channel