Eric Chien është shpallur fituesi i kampionatit botëror të magjisë për vitin 2018, të zhvilluar në qytetin Busan të Koresë së Jugut.
Kampionati botëror i magjise organizohet çdo 3 vite nga Federata ndërkombëtare e Shoqërive të magjisë. Kinezi arriti të fitojë zemrat e jurisë, me truke që i afrohen gjithnjë e më shumë të pashpjegueshmes dhe absurdes.
Truket me letra zakonisht nuk përmbajnë ndonjë nivel të lartë spektakolariteti, por Eric Chien e theu këtë klishè. Objektet shfaqen nga asgjëja, gjithashtu ngjyra e letrave dhe e jelekut ndryshojnë papritur falë magjisë së një shiriti të bardhë.
Pikërisht me këtë performancë, Chien i ka bindur gjyqtarët e Federatës për t’i dhënë çmimin “Grand Prix”, çmim i cili hyn në kategorinë e trukeve që kryhen në kushte tavoline, e jo më larg se 3 metra në distancë nga publiku.
Shumë konkurrentë kanë qenë rivalë të njëri-tjetrit në kategori të ndryshme në edicionin e këtij viti, por asnjë në nivelin e spikatjes së prestigjiatorit kinez. Truku i Chien është bërë viral në rrjetet sociale përgjatë ditëve të fundit.
Iluzionisti kinez e ka publikuar vetëm tani performancën që e dërgoi në podium, në kanalin e tij në Youtube, ku edhe ka shkruar: Edhe pse kjo fitore është një arritje e madhe, shpresoj që të jetë vetëm fillimi për mua. Mezi pres t’iu shfaq numrat që kam në mendje.
Eventi më i madh i magjisë në botë zhvillohet çdo 3 vite, për t’u lënë mjaftueshëm kohë prestigjiatorëve për të punuar dhe përmirësuar teknikat e tyre, e për të krijuar gjithashtu forma të reja iluzionesh.
Top Channel