Qindra nëpunës të sindikatës më të madhe të unionit publik “ADEDY” janë mbledhur para Parlamentit grek në një miting proteste, gjatë grevës 24-orëshe të sektorit shtetëror, e para prej daljes së Greqisë nga programet e ndihmave të kreditorëve, gushtin e kaluar.

Sindikalistët grekë kërkojnë rritjen e pagave, të pensioneve të reduktuara disa herë gjatë 8 viteve të krizës prej vitit 2010, si dhe rritjen e sigurimeve shoqërore nga Qeveria “Tsipras”, e cila ndodhet ende e kufizuar, pasi po mban shpenzimet në kontroll nën vëzhgimin e huadhënësve të saj ndërkombëtarë.

“Nëse ka tepricë primare, të kenë prioritet spitalet dhe jo programet e armatimit”, tha një vajzë.

“Është absolutisht e nevojshme për të gjithë ata që vuajtën vitet e të fundit dhe panë të ardhurat e tyre të reduktohen, të bashkojnë forcat në periudhën e ardhshme”, tha Giannis Paidas, president i “ADEDY”.

Protestuesit kanë kërkuar gjithashtu anulimin e një ligji të ri, që redukton ndjeshëm të ardhurat për pensionistët e rinj, si dhe reduktimin apo heqjen e taksës së unifikuar të pronës.

Të ndarë në dy grupe, protestuesit e unionit që përfaqëson rreth gjysmëmilioni nëpunës të sektorit publik kanë marshuar për disa orë në rrugët e Athinës, Selanikut dhe qyteteve të tjera të vendit, ndërsa në grevë kanë marrë pjesë edhe personeli i spitaleve shtetërore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA