Kryeministrja britanike, Theresa May do të përballet me kabinetin e saj më vonë gjatë ditës, teksa synon të fitojë mbështetjen e kolegëve të saj për një draft marrëveshje për Brexitin në mes të Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian.

Ministrat e lartë do të mbledhë në zyrën e saj në Downing Street pasdite, pavarësisht thirrjeve për të kundërshtuar këtë marrëveshje, qoftë nga mbështetësit apo kundërshtarët e Brexit-it.

Kryeministrja po ashtu është duke vazhduar takimet e ndara me secilin ministër. Ndërkohë BBC, ka raportuar se disa anëtarë të kabinetit kanë shprehur “rezerva të mëdha”.

Megjithatë, ky draft po konsiderohet si moment i rëndësishëm në negociata në mes të Mbretërisë së Bashkuar dhe Brukselit.

Në kohën kur kanë qarkulluar lajmet se është arritur marrëveshje për draftin e parë, funta britanike është rritur në krahasim dollarin amerikan për 0.12 për qind si dhe ndaj euros për 0.16 për qind.

Në të njëjtën kohë, ambasadorët e 27 vendeve anëtare të BE-së do të diskutojnë marrëveshjen dhe ka mundësi të organizojnë një samit urgjent për ta nënshkruar atë.

Në referendumin e 23 qershorit më 2016, 17.4 milionë persona apo 51.9 për qind e votuesve kanë përkrahur largimin nga BE-ja derisa 16.1 milionë të tjerë apo 48.1 për qind të tjerë kanë votuar kundër Brexit-it.

Britania pritet të largohet nga blloku evropian në mars të vitit 2019.

Top Channel