Armëpushimi me Hamasin, ikën ministri i Mbrojtjes së Izraelit

14/11/2018 16:51

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Avigdor Lieberman, ka dhënë dorëheqjen pas vendimit të kabinetit qeveritar për të pranuar një armëpushim, që u jepte fund dy ditë luftimeve me militantët palestinezë në Gaza.

Lieberman, udhëheqës i partisë “Yisrael Beiteinu”, denoncoi lëvizjen duke thënë se ishte dorëzim përballë terrorit. Ai kritikoi po ashtu përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje afatgjatë me grupin e Hamasit. Lëvizja e tij rrezikon tashmë koalicionin qeveritar, e ndoshta mund të sjellë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Tetë persona u vranë të hënën dhe të martën, ndërsa militantët hodhën 460 raketa drejt Izraelit dhe forcat izraelite bombarduan 160 objektiva në Gaza.

Hamasi, që dominon Gazën, dhe grupet e tjera militante palestineze, thanë të martën pasdite se kishin pranuar një armëpushim të ndërmjetësuar nga Egjipti, e se do ta respektonin atë nëse edhe Izraeli do të bënte të njëjtën gjë.

Kabineti izraelit i Sigurisë tha fillimisht se do të urdhëronte ushtrinë të vazhdonte operacionet, por Lieberman dhe një tjetër ministër konfirmuan se ai kishte pranuar armëpushimin.

Kryeministri Benjamin Netanyahu, sidoqoftë, mbrojti vendimin për armëpushimin, duke thënë se në kohë emergjence, marrja e vendimeve të rëndësishme për sigurinë është një çështje delikate.

Në Gaza, në anën tjetër, Hamasi e konsideroi armëpushimin një fitore. Armëpushimi në fakt u duk se funksionoi të mërkurën, me shkollat dhe bizneset në Izraelin jugor që u rihapën, pasi asnjë sulm me raketa nuk u raportua gjatë natës.

Sidoqoftë, ushtria izraelite tha se kishte qëlluar dhe më pas arrestuar një palestinez, që ishte përpjekur të kalonte gardhin në kufirin mes Izraelit dhe Gazës me granata në duar.

Top Channel