Kombëtaren shqiptare e pret sfida me Skocinë në Ligën e Kombeve, ku kuqezinjtë luajnë mundësitë e tyre të fundit për një kualifikim hipotetik. Padyshim është një mision shumë i vështirë për t’u arritur, por për Andi Lilën, ajo që duhet të bëjnë të gjithë futbollistët është të japin maksimumin në fushën e lojës, ndërkohë që nuk e mohon se mund të zëvendësojë Hysajn e skualifikuar.
“Duhet të japim maksimumin për të fituar ndaj Skocisë. Duhet të bëjmë të njëjtën paraqitje si me Izraelin dhe të shpresojmë të kemi rezultatin në favor. Për ne nuk ka skuadra të forta apo të lehta, do të luajmë mundësitë tona. Duhet të bëjmë më të mirën në stërvitje dhe secili prej nesh të tregojë vlerat e tij. Unë mbrojtës i djathtë? Nuk e kam problem të luaj në atë poizicion në Kombëtare”, tha Andi Lila, futbollist i kombëtares.
Ndërsa Berat Gjimshiti theksoi se skuadra ka bërë gabime personale në mbrojtje që i kanë kushtuar shtrenjtë dhe se ndaj Skocisë pritet një fidë e vështirë.
“Në kombëtare jap gjithnjë maksimumin. Në sfidën e luajtur në Izrael nuk patëm fat. Kemi bërë shumë gabime në mbrojtje që na kanë kushtuar. Ndaj Skocisë na pret një duel i vështirë. Unë do të jap më të mirën time, nëse do të luaj në këtë ndeshje”, tha Berat Gjimshiti, futbollist i kombëtares.
Sfida mes Shqipërisë dhe Skocisë do të luhet mbrëmjen e së shtunës, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës.
Top Channel