Fiton 290 mijë paund në javë, Mbappe: Është e pahijshme, e pajustifikuar

13/11/2018 17:51

Ylli i PSG, Kylian Mbappe, i cili fiton 290 mijë paund në javë është shprehur se pagesat e futbollistëve janë të turpshme, të pajustifikuara.

Në një moshë fare të re sulmuesi i Paris Saint Germain po sjell revolucion në fushën e blertë, ishte protagonist i fitores së përfaqësueses franceze në Botërorin e Rusisë, ndërkohë që vlera e tij në merkato e kalon shifrën 200 milionë euro, duke e bërë atë një ndër lojtarët më të shtrenjtë në botën e futbollit.

Gjithsesi, referuar shifrave të çmendura dhe të pabalancuara që qarkullojnë sot në tregun sportiv, Mbappe mendon se në nivelet më të larta luhet me shifra të frikshme aq sa për shtresën e mesme të shoqërisë mund të quhen pa frikë të pahijshme.

“Vij nga një familje modeste dhe këto shifra që qarkullojnë sot në botën e futbollit do t’i quaja të pahijshme, por, në fund të fundit, ky është tregu, ky është një sistem i ndërtuar nga të tjerë, por që funksionon, ndaj unë nuk mund ta bëj revolucionin i vetëm. Bota e futbollit kështu funksionon, ndaj na mbetet ta pranojmë realitetin”, shprehet ai.

Më pas Mbappe foli edhe për objektivat e tij, ku synimi parësor është të mbetet origjinal, duke mos u kthyer në kopjen e askujt.

“Qëllimi im është të ruaj gjithnjë vetëvlerësimin, të mbetem ky që jam dhe të mos kthehem në kopjen e askujt. Në fund të fundit, në jetën e përditshme të gjithë ne duhet të ruajmë modestinë, të jemi të përulur, pasi kjo është rekuizita me e mirë për të të sjellë madhështinë”, rrëfen Mbappe.

Fenomeni francez ka një mesazh edhe për brezin e ri, që i kërkon të mos ndalet kurrë edhe kur përballet me vështirësi.

“Mos reshtni kurrë së ëndërruari, mos u stepni nga ata që nuk besojnë tek ju, e rëndësishme është që të ruani besimin në vete, tek ëndrra juaj”, thotë ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA