Banorët e fshatit Halilaj në Fushë-Krujë po jetojnë çdo ditë mes ndotjes nga djegia e mbetjeve urbane. Prej kohësh vendgrumbullimi i plehrave përfshihet nga flakët gjatë orëve të mbrëmjes. Banorët shprehen se fshati i tyre po bëhet dita-ditës i pabanueshëm për shkak të tymit dhe aromës së rëndë të mbetjeve.

“Mëngjesi është vetëm tym dhe blozë prej mbeturinave që digjen pamasë. Jemi ankuar por nuk kemi gjetur zgjidhje absolutisht. Duhet të ishte caktuar një vend duhet të ishin marrë masat për këtë problem”, thotë një banor.

Sipas banorëve shkaktar për vënien e zjarreve mbeten institucionet vendore ndërsa zjarrfikësit dhe policia nuk kanë ndërhyrë mjaftueshëm.

“Bashkia, nuk ja vendos as unë, as ti s’ja vendos, askush nuk ja vendos. Ata i grumbullojnë aty dhe pas nja 3-4 ditësh pasi grumbullohesh shumë, shkojnë i vënë flakën”, shprehet një tjetër.

Në këto kushte, banorët paralajmërojnë protesta në mbrojtje të shëndetit të tyre në rast se zjarret do të vijojnë.

“Ti dalim tek kthesa tek lapidari, të vij dhe populli, të bllokojmë rrugën ose të shkojmë të rrethojmë bashkinë”.

Jashtë kamerave përfaqësuesit e Bashkisë së Krujës pranojnë se e kanë të pamundur financiarisht vënien nën kontroll të mbetjeve ndonëse përpjekja për izolimin e flakëve vijon.

Top Channel