Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka programuar këtë të hënë zhvillimin e seancës dëgjimore për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj, i cili është edhe vet i pranishëm.
Islamaj u konfirmua në detyrë nga shkalla e parë e vettingut, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit ndaj tij.
Sipas komisionerit publik, te kriteri i pasurisë ka mospërputhje në hetimin administrativ që kreu KPK-ja, të cilin e ka quajtur hetim të paplotë.
Mangësitë e hetimit administrativ të kryer nga KPK-ja, Komisioneri Publik ka kërkuar që të riparohen në shkallën e dytë të vettingut.
Në kërkesën e apelimit përmenden mes të tjerash blerja e një trualli në Karpen, për të cilin ka dyshime se nuk është llogaritur siç duhet çmimi i referencës.
“Shitësi e bleu këtë truall kullotë një muaj përpara se ta shiste. Të dhënat gjeohapsinore tregojnë se ky truall gjendet fare pranë detit dhe shtrihet në një zonë të rëndësishme. Ne pretendojmë se Kolegji i Posaçëm duhet të hetojë më tej për origjinën e kësaj prone, si ka kaluar pronësia nga shtet në pronësi private, derisa ky truall arriti nën pronësi të gjyqtarit Islamaj. Ne mendojmë se kjo shitblerje është fasadë. Vlera e një metri katror në Karpen shkon deri në 25-fish më tepër sesa e ka blerë gjyqtari, ndaj duhet hetuar nëse jemi para një shitblerjeje fiktive”, deklaroi komisioneri publik.
Vetë gjyqtari i lartë Edmond Islamaj tha: “Kam zgjedhur të përfaqësohem vetë dhe pa avokat. Së pari, në vlerësimin tim, KPK-ja ka kryer hetim të thelluar dhe konkret. Do të paraqes akte shkresore që hedhin apelimin e komisionerit publik. Për pasurinë kullotë, është fituar në mënyrë të ligjshme, me kontratë blerjeje. Komisioneri publik ngre dy çështje, por që të dyja nuk përputhen. Konkretisht, ndryshe nga sa ankimohet, kjo pasuri, sipas akteve zyrtare, është pjesë e një kullote më të madhe të cilën A.H. e kishte 5 vjet para se të ma shiste mua. Më pas, kjo pasuri është regjistruar si pasuri më vete në 2015, por, siç dihet, nuk mund të bëhet shitja pa u bërë ndarja. Kjo pasuri është larg shfrytëzimit, pra nuk ka ende një ide të qartë se çfarë do të investohet”.
Top Channel