Busti i Papa Gjon Palit do të qëndrojë nga sot në sheshin pas Pallatit të Kongreseve.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se busti i Papa Vojtilës ia shton më shumë vlerat Tiranës si simbol i një njeriu që la gjurmë në jetën e Kishës Katolike, larg intolerancës dhe nacionalizmave.
“Sot Shqipëria, me në krye Tiranën, është mishërimi i këtij vizioni të emancipuar të Papës. Liria fetare, por edhe harmonia fetare, janë shembull i virtytit të mirë tek ne shqiptarët. Në Tiranë, në një kilometër katror mund të gjejmë Katedralen Katolike, mbrapa Galerisë së Arteve, Katedralen Ortodokse, përballë Shtëpisë së Gjetheve, një tjetër kujtesë e atij regjimi të vështirë dhe të rëndë sidomos për ata që ishin besimtarë, përballë Pidamidës kemi bustin e Papa Françeskut, kurse këtu përurojmë bustin e Papa Gjon Palit II, e pak metra më tej po ndërtohet xhamia e madhe. Nuk ka një kryeqytet tjetër në botë që në një kilometër katror të jetë i përfaqësuar me të gjitha ngjyrat e besimeve fetare”, tha Veliaj.
Papa Vojtila vizitoi Shqipërinë 25 vjet më parë.
“Me vizitën e tij në 1993, ai i dha shpresë të gjithë popullit shqiptar. Kurse në vitin 2014 kemi vizitën e Papa Françeskut, i cili teksa i referohej vendit tonë thoshte se: “Shqipëria ka një karakteristikë shumë të bukur që më jep një kënaqësi të jashtëzakonshme. I referohem vëllazërisë fetare, lidhjeve që ekzistojmë mes feve të besimeve të ndryshme në vendin tuaj. Klima e besimit dhe besimi reciprok midis katolikëve, ortodoksëve dhe myslimanëve është një dhuratë e paçmuar për vendin tuaj”, deklaroi Papa.
Nën shembullin e Papa Vojtilës, Tirana lufton ekstremizmin duke krijuar një mjedis që lejon ndërveprimin e mendimeve dhe feve, u shpreh Veliaj.
Top Channel