51 shtete, përfshirë të gjitha vendet anëtare të BE, kanë premtuar se do të mbështesin një marrëveshje të re ndërkombëtare që do të vendoste standarde mbi armët kibernetike dhe përdorimin e internetit. Shtetet kanë nënshkruar një marrëveshje në përpjekje për të vënë në lëvizje negociatat globale.

Kina, Rusia dhe SHBA nuk e kanë nënshkruar marrëveshjen, çka reflekton rezistencën e tyre për përcaktimin e standardeve për armët kibernetike që janë shndërruar në armët e luftërave moderne.

“Ne na nevojiten norma për të evituar një luftë në hapësirën kibernetike që do të ishte me të vërtetë katastrofike”, tha Jean Yves le Drian, ministër i jashtëm francez.

Aktivistët kanë kërkuar një konventë të Gjenevës që do të vendoste standardet për luftërat kibernetike. Ata duan që shtetet të angazhohen për shembull që të mos sulmojnë infrastrukturën që është thelbësore për civilët në kohë luftërash. Një normë e re ndërkombëtare po ashtu do të ndihmonte në përcaktimin e atij që është një sulm kibernetik i mbështetur nga një shtet dhe se kur një shtet mund të justifikohet në reagim. Janë me dhjetëra ndërkohë vendet që mendohet se kanë krijuar armë sulmuese kibernetike. Ekspertët thonë se armët kibernetike kanë potencialin të shkaktojnë një tjetër konflikt masiv.

Top Channel