Qendrat e votimit janë hapur në zonat e kontrolluara prej rebelëve prorusë në lindje të Ukrainës gjatë kësaj të diele, me separatistët e mbështetur nga Kremlini që kërkojnë të zgjedhin udhëheqësit e tyre të rinj, pavarësisht thirrjeve të Perëndimit ndaj Moskës që të mos sabotojë bisedimet për paqe.

Uashingtoni dhe Brukseli thonë se, zgjedhjet në “Republikat Popullore” të Donetskut dhe Luhanskut në lindjen e industrializuar të Ukrainës, thjesht sa do të dëmtojnë edhe më tej përpjekjet për t’i dhënë fund një konflikti që ka lënë të vrarë mbi 10 mijë njerëz që prej nisjes së tij në vitin 2014.

Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini tha të shtunën se blloku i konsideron zgjedhjet “të paligjshme dhe të kundërligjshme, ndaj nuk do t’i njohë ato”.

“Këto zgjedhje të çuditshme janë thjesht një tallje”, shtoi i dërguari special amerikan në Ukrainë, Kurt Volker. “Janë diçka për të cilën ne i bëjmë thirrje Rusisë të ndalet dhe të mos e përvijojë më”, tha ai gjatë javës së kaluar, duke shtuar se votimi bie në kundërshtim me marrëveshjet e paqes të ndërmjetësuara nga Perëndimi.

Kremlini, gjithsesi i ka refuzuar apelet, duke thënë se votimet atje “nuk kanë të bëjnë aspak” me akordet e arritura. Moska thotë se zgjedhjet janë të nevojshme për të mbushur vakuumin politik, pasi udhëheqësi i “Republikës së Donetskut, Alexander Zakharchenko u vra në një atentat me bombë në një kafene të Donetskut në muajin gusht.

“Njerëzit thjesht duhet të jetojnë, të vijojnë jetën e tyre dhe të garantojnë rendin në një rajon që është vendosur nën bllokadën dhe kërcënimet e vazhdueshme për përdorim force nga autoritetet ukrainase”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.

Në vitin 2014, Rusia aneksoi Krimenë dhe mbështeti shpërthimin e një kryengritjeje në lindje të Ukrainës, në atë që Kievi e konsideroi si ndëshkim për shkak të kthesës së tij drejt Perëndimit.

Top Channel