
Partizani dhe Skënderbeu nuk gabuan në ndeshjet e tyre të kësaj javë në Kategorinë Superiore.
Skuadra e Skënder Gegës kaloi me sukses Laçin, të cilin e mundi me rezultatin 1-0 dhe ruan kryesimin në tabelën e klasifikimit. Ai që vendosi fatin në favor të “Të Kuqve” ishte Jurgen Bardhi, me golin e shënuar në pjesën e dytë të takimit.
Partizani ngjitet në kuotën e 31 pikëve, dy më shumë sesa Skënderbeu, që vetëm në çastet e fundit arriti të marrë maksimumin ndaj Flamurtarit të Ilir Dajës. Ishte një vlonjat ai që ndëshkoi dhe bëhet fjalë për Dejvi Bregun, i cili e shënoi golin e fitores në minutën e 89, atëherë kur u mendua se sfida po shkonte drejt barazimit.
Tirana nuk di më të fitojë. Skuadra bardheblu regjistroi një tjetër rezultat negativ dhe këtë radhë u mposht në Gjirokastër nga Luftëtari me rezultatin 2-1, duke iu aftruar shumë zonës së rënies nga kategoria. Skuadra e Ardian Memës e nisi mjaft mirë sfidën, teksa kaloi në avantazh me golin e Sentamut. Por, ashtu siç ka ndodhur shpesh me këtë skuadër, Tirana nuk diti të ruajë këtë avantazh dhe pa që Luftëtari e përmbysi rezultatin.
Shkurtaj me 11-metërsh barazoi shifrat, ndërsa Dunga, dy minuta nga fundi i sfidës, i dha Luftëtarit një fitore të rëndësishme.
Kastrioti shpërfytyroi Kamzën duke e mundur pastër 3-0 dhe duke u kthyer te fitorja që i mungonte që nga java e parë e kampionatit. Skuadra krutane e vendosi sfidën në drejtimimn e dëshiruar që në pjesën e parë të sfidës, kur mori kryesimin e dyfishtë falë golave të Junior dhe Ogebugu. Në pjesën e dytë, Kastrioti shënoi sërish me Junior për të fiksuar rezultatin 3-0.
Java e 13 e kampionatit do të mbyllet me sfidën mes Kukësit dhe Teutës, që do të luhet ditën e hënë.
Top Channel