Foto ilustruese

Në kuadër të ceremonive të shënimit të 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, në Paris të Francës, Kancelarja gjermane Angela Merkel është takuar me kërkesën e saj, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Nga kabineti i presidentit serb thuhet se, ata kanë biseduar për raportet dypalëshe mes Gjermanisë dhe Serbisë, për bashkëpunimin ekonomik, gjendjen në rajon dhe procesin e integrimit europian.

Presidenti i Serbisë pohon se ai e ka informuar kancelaren për rrjedhën e dialogut dhe hapat e fundit që ka marrë Prishtina kundër Serbisë, në radhë të parë për rritjen e taksave për mallrat serbe dhe ato nga Bosnje-Hercegovina.

Vuçiç tha se Kosova po shkel marrëveshjen e nënshkruar për tregtinë e lirë, e në këtë mënyrë po cënon bashkëpunimin dhe stabilitetin. Pala serbe është shqetësuar edhe nga paralajmërimet në Prishtinë për krijimin e ushtrisë së Kosovës, nën emrin Forcat e Sigurisë. Sipas palës serbe, kjo rrezkon stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Në deklaratën e kabinetit të presidentit serb thuhet se, Kancelarja Merkel ka përshëndetur sukseset ekonomike të Serbisë. Merkel ka theksuar gatishmërinë e Gjermanisë që të ndihmojë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kancelarja Merkel ka theksuar po ashtu rëndësinë e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjermania është një prej vendeve kryesore, të cilat kanë kundërshtuar idetë e fundit për korrigjimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Kancelarja Merkel nuk ka parashikuar ndonjë takim të ndarë me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Top Channel