Zjarrfikësit në Kaliforni kanë luftuar me flakët e ndezura në të dy skajet e shtetit, që kanë lënë të paktën nëntë vetë të vdekur, dhe mijëra shtëpi të shkatërruara.

Më shumë se 250,000 njerëz janë urdhëruar të evakuojnë në një zonë të gjerë pranë kryeqytetit Sacramento dhe në Kaliforninë jugore, në qytetin turistik Malibu.

Deri tani, nëntë viktima u raportuan në qytetin Paradise, në Butte County, ku më shumë se 6,700 ndërtesa – shumica prej tyre rezidenca, janë konsumuar nga ferri i fundvitit, i cili tani është regjistruar si zjarri më shkatërrues i Kalifornisë ndër vite.

Guvernatori i zgjedhur Gavin Newsom shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, për të ofruar ndihmë për zonat më të goditura. I nxitur nga erërat e forta, deri tani zjarri ka djegur 40,500 hektarë toke sipas Departamentit të Pylltarisë në Kaliforni.

Deri tani janë plagosur tre nga 3.200 zjarrfikësa të angazhuar. Autoritetet thanë se rreth 200,000 njerëz janë nën urdhrat e detyrueshëm të evakuimit, duke përfshirë tërë qytetin e Malibusë. Malibu është një nga vendet më të kërkuara në Kaliforni për yjet që kërkojnë privatësi dhe luks.

Ylli i Reality TV, Kim Kardashian West, e cila jeton në veri të Malibusë bregdetare, u detyrua të largohej nga shtëpia e saj. Zjarri arriti në Paramount Ranch, duke shkatërruar Asetet e Qytetit Perëndimor të përdorur për qindra prodhime kinematografike. Në qytetin Paradise, flakët shkatërruan qindra shtëpi, një spital, një stacion gazi, disa restorante dhe automjete të shumta.

Urdhrat e evakuimit të detyrueshëm janë lëshuar për më shumë se 52,000 njerëz në zonën piktoreske në ultësirat e maleve të Sierra Nevadës. Shërbimi Kombëtar i motit njoftoi se erërat e forta do vazhdojnë përgjatë gjithë fundjavës.

Top Channel