Jo vetëm një profesion, po peshkimi është dhe një aktivitet joshës për turistët e shumtë që pushojnë në Durrës.

Por ende turizmi i peshkimit është shumë pak i njohur e i shfrytëzuar në vendin tonë. Së fundmi, ai po vlerësohet si një produkt i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e kulturor ne vendet e Mesdheut. Ndaj duke përfituar nga moti i favorshëm i këtij nëntori dhe në kuadër të projektit TourisMed të financuar nga BE, në Durrës u zhvilluan disa udhëtime pilot me anije peshkimi për të shijuar bukuritë dhe ushqimin që Adriatiku ofron, si dhe pamjen e qytetit dhe të gjithë vijës bregdetare të tij nga deti.

Ky projekt bën bashkë 5 vende, Shqipërinë, Italinë, Qipron, Greqinë dhe Francën, duke synuar që përmes një përvoje unike turistike, të ofrojë të ardhura shtesë për peshkatarët si dhe te sjellë larmi të ofertës turistike në vend.

Ndërthurja e itenerareve turistike tokë-det, do të ofrojë për turistët e apasionuar pas detit e peshkimit edhe vizitat e siteve arkeologjike dhe të trashëgimisë kulturore, të arritshme nga deti, siç janë Kisha e Vjetër e Shën Ndoit, Kështjella e Skënderbeut në Kepin e Rodonit, Muri i Portez etj.

Sezonet e ardhshme turistike me shtrirje që nga pranvera deri në vjeshtën e vonë pritet të ofrojnë edhe këtë përvojë të re në Durrës, po për ta mundësuar këtë kërkohet jo vetëm kuadri ligjor, po dhe një flotë peshkimi në gjendje të mirë për të ofruar shërbimin e kërkuar.

Top Channel