Borussia Dortmund mposhti Bayernin e Mynihut me rezultatin 3-2, në një ndeshje të çmendur, që pa bavarezët të kalonin dy herë në avantazh, në “Signal Iduna Park”.
Robert Lewandowski kaloi në avantazh kampionët në fuqi të Gjermanisë në pjesën e parë, ndërsa me rezultatin 0-1 përfundoi ky 45-minutësh.
Pjesa e dytë ishte një spektakël i vërtetë me Reus që barazoi rezultatin me 11-metërsh. Më pas ishte sërish sulmuesi polak që riktheu Bayernin në avantazh, por sërish reus baraspeshoi gjithçka.
Golin e fitores për Dortmundin e shënoi sulmuesi spanjoll Paco Alcacer, që mposhti portierin Neuer dhe ngriti në peshë mijëra tifozët verdhezi në shkallët e stadiumit.
Pas kësaj fitoreje, Dortmundi i drejtuar nga Lucien Favre, shkon në kuotën e 27 pikëve, 4 më tepër se Munchengladbach ndjekës dhe 7 më tepër se Bayerni kampion në fuqi.
Top Channel