Shqipëria shpalli person non grata, duke mos lejuar futjen në territorin e saj, të eurodeputetes qipriote Eleni Theocharous, pas pjesëmarrjes së saj në ngjarjet e fundit në Bularat.
Glevin Dervishi, këshilltar i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, tha se ky vendim vinte pas sjelljes së përsëritur të eurodeputetes. Ministria e Jashtme e Shqipërisë e konsideron ngjarjen në Bularat si të orkestruar për të sfiduar sigurinë publike në territorin shqiptar.
Tirana zyrtare pohon se është e vendosur për të forcuar stabilitetin rajonl dhe marrëdhëniet me Greqinë, por nuk do të tolerojë për asnjë arsye shfaqje sfiduese ndaj rendit kushtetues apo thirrje cenuese për tërësinë territoriale në Republikën e Shqipërisë.
“Ky vendim vjen si reagim i detyruar kushtetues e ligjor i institucioneve të Republikës së Shqipërisë, ndaj shfaqjeve të përsëritura ekstremiste të eurodeputetes Eleni Theocharous. Prononcimet e saj që nxisin urrejtjen, cënimin e rendit kushtetues të vendit tonë, ngritjen e pretendimeve territoriale ndaj Republikës së Shqipërisë, nuk mund dhe nuk do të mund të bëhen më në tokën shqiptare. Mbështetur në procedurat diplomatike dhe konsullore, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, do të përcjellë nëpërmjet kanaleve diplomatike vendimin për të ndaluar hyrjen e mëtejshme në Shqipëri të Eleni Theocharous”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.
Top Channel