Këtë të premte ishte radha e prokurorit Ramadan Troci për të dalë para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, në Pallatin e Kongreseve, për sa kohë ai është në listën prioritare të vettingut. Zoti Troci është kandidat për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe u vlerësua për të 3 komponentët.
Komisionerët e vettingut thanë se, pas sitës së trefishtë të vettingut, rezulton se prokurori Troci ka një apartament në pronësi dhe një llogari bankare prej 2.5 milionë lekësh.
Por, KPK-ja shtoi se prokurori ka probleme me pasuritë, përderisa nuk shpjegon dot nëse ka apo jo pjesë takuese në një shtesë pa leje prej 32 metrash katrorë, të ndërtuar nga i ati në Paskuqan. Gjithashtu, KPK-ja mendon se prokurori nuk qartëson kontratën e qirasë të lidhur me një person tjetër, për një banesë në të cilën Troci jeton bashkë me familjen.
Prokurori që hetoi Fullanin, në “sitën” e vetting-ut
Por prokurori replikoi, duke thënë se ai posedon vetëm një shtëpi dhe një llogari bankare.
I njohur si prokurori që hetoi ish-guvernatorin Ardian Fullani, si dhe hapi skandalin e tokave në Vlorë, Trocit iu kërkua llogari edhe për dosjet hetimore në Bulqizë. Por, prokurori tregoi se çdo vendim pushimi që kishte marrë, e ka vendosur në bazë të provave.
“Unë jam prokurori që i kalova shtetit toka të tjetërsuara në bregdet me vlerë 870 milionë euro”, kujtoi Troci.
Komisionerët sollën në vëmendje edhe ankesën e një qytetari në Vlorë, të cilin Troci e kundërshtoi.
Por, edhe për këtë gjetje, prokurori Troci kujtoi se është i pari prokuror që ka hetuar skandalin e tokave dhe se kishte shkelur interesa të fuqishme, aq sa është kërcënuar.
Vendimi për Trocin do të shpallet në datën 14 nëntor.
Top Channel