Sarandiotëve, Edi Rama u tha se rruga Kardhiq-Delvinë është strategjike për nga impakti që do të sjellë në zhvillimin e zonës.

“Është një zhvillim i rëndësishëm me efekt të konsiderueshëm ekonomik dhe social për të gjithë zonën”, tha Rama.

Kryeministri tha se, shumë shpejt do të japë një zgjidhje edhe për çështjen e trojeve.

“Është shumë e rëndësishme, që paralelisht me gjërat e reja që bëhen, t’u jepet zgjidhje edhe disa çështjeve që janë të bartura, ndër të cilat çështja e trojeve. Jemi shumë pranë zgjidhjes, besoj. Në një kohë të shkurtër, në javët e ardhshme, qeveria do të marrë një vendim përfundimtar për këtë çështje”, deklaroi Rama.

Në takimin ku ishte i pranishëm edhe Alket Hyseni, Rama foli për titujt e falsifikuar të pronësisë.

“Ne po përpiqemi të bëjmë një proces pastrimi të shumë titujve të falsifikuar të pronësisë. Kemi bërë një ngrirje në të gjithë zonën e bregdetit për të shpëtuar faktikisht pronarët e ligjshëm nga grabitqarët e pronave”, u shpreh kryeministri.

Turizmi është jetik për Sarandën, por Rama thotë se ai mund të shkojë përtej plazhit. Programi për bujqësinë është në dispozicion të fermerëve, bashkë më atë për agroturizmin.

“Do të ishte vlerë e shtuar në ekonominë familjare dhe atë lokale, që të vizitojnë edhe zona më të thella, duke parë territore të kultivuara bujqësore, por edhe duke përfituar nga mikpritja në struktura agroturistike”, tha Rama.

Top Channel