Ligjvënësi gjerman në BE, Manfred Weber ka fituar garën për të udhëhequr partitë e qendrës së djathtë në zgjedhjet e bllokut, që do të mbahen në muajin maj. Weber, po ashtu do të jetë kandidat i Partisë Popullore Europiane (EPP) për t’u bërë kryetar i Komisionit Europian.

Ai ka arritur të mundë ish-kryeministrin finlandez, Alexander Stubb, në konferencën e partisë të mbajtur në kryeqytetin e Finlandës, Helsinki. Të dhënat zyrtare të votimit tregojnë se Weber arriti të siguronte përkrahjen e pothuajse 80 për qind të delegatëve.

Në krye të grupit më të madh në Parlamentin Europian, Manfred Weber erdhi në vitin 2014. Ai konsiderohet si njeri i kompromisit, që mundohet me zë të ulët ta mbajë të bashkuar grupin e tij, i cili ka një spektër mjaft të gjerë.

Me pikëpamjet proeuropiane, Weber dallon edhe nga partia e tij, Unioni Kristiansocial i Bavarisë (CSU). Prandaj, edhe në zgjedhjet e fundit të vitit 2014, CSU-ja nuk donte ta vinte as si kandidat.

Në çështjen e emigracionit, ai diti të manovronte me zgjuarsi, herë duke anuar nga pozicioni i Kancelares dhe kryetares së CDU-së, Angela Merkel, e herë nga ana e ministrit të Brendshëm dhe kryetarit të CSU-së, Horst Seehofer.

Madje, ai shkoi deri aty sa të mbante në fraksion edhe 11 anëtarët e partisë hungareze antieuropiane “Fidesz”, pavarësisht kritikave masive. Por, Weberin e ka mbështetur Merkel, pasi mendohet që pa përkrahjen e saj, mundësitë e tij për t’u shpallur si kandidati kryesor në zgjedhjet europiane do të ishin thuajse zero.

Top Channel