Skuadra spanjolle e Real Betisit bëri Milanin të vuajë në shtëpi, duke e mposhtur dhe duke u larguar më 3 pikë, pas fitores 1-2 në “San Siro”, në sfidën e vlefshme për fazën e grupeve të Europa Leagues.

Mbrëmjen e sotme, kuqezinjtë do të zbresin në fushë në Andaluzi, ku do të kërkojnë të “hakmerren” për atë humbje, por mbi të gjitha të marrin pikë, për të mos vënë në diskutim kalimin e grupeve në këtë kompeticion.

Gattuso përballet me dëmtime të ndryshme, një ndër të cilët është edhe Gonzalo Higuain, por tekniku kuqezi nuk kërkon alibi dhe premton se skuadra do të luftojë fort, për t’u kthyer me fitore nga transferta spanjolle.

“Është e vërtetë që kemi mungesa, por na është rikthyer në dispozicion Calhanoglu, ndonëse nuk është në formën më të mirë. Natyrisht që e kemi një plan për mënyrën sesi do rreshtohemi dhe si do interpretojmë ndeshjen, por këtë do ta shikoni në fushë, mbrëmjen e sotme. Nuk duam asnjë alibi, por do të kërkojmë të marrim fitoren dhe të sigurojmë kualifikimin sa më shpejt”, deklaroi Gattuso.

Në fundjavë Milani do të presë në “San Siro” Juventusin, në një sfidë mjaft të rëndësishme të kampionatit italian, ndërsa Gattuso nuk e fsheh se ka ende besim në një rikuperim të mundshëm të qendërsulmuesit Gonzalo Higuain, i cili një vit më parë mbante fanellën bardhezi.

“Higuain ka dhënë shenja përmirësimi, por nuk donim ta rrezikonim duke e marrë në Spanjë. Besoj shumë dhe shpresoj se do të jetë gati për sfidën e fundjavës ndaj Juventusit, pasi ndeshje të tilla kanë nevojë për sulmues si Higuain, që dinë të vendosin fatin e një takimi”, u shpreh trajneri i Milanit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA