Mbrëmjen e kësa të enjteje do të zhvillohet raundi i katërt i ndeshjeve në grupe të Europa League, nga ku do të zbulohen emra të tjera skuadrash që do të vazhdojnë për në raundin pasardhës, apo skuadrat që do të humbasin përfundimisht shpresat për një vend në fazën tjetër.
Milani është një prej skuadrave të mëdha që zbret sot në fushë përballë Betisit, ndeshje kjo e vendit të parë me të dytin në grupit F. Që nga humbja me spanjollët në “San Siro” janë zhvilluar 3 javë kampionati, e kuqezinjtë vijnë në këtë ndeshje të sotme pas 3 fitoreve radhazi: ndaj Genoas, Sampdorias dhe Udineses.
Mjafton kaq për të kuptuar që Milani do t’i kthejë vizitën Betisit me një tjetër moral. Gjithsesi, në këtë ndeshje do të jetë Betisi, skuadra që ka më shumë mundësi të kalojë drejtpërdrejt në fazën tjetër, e këtë mund ta bëjë në rast fitoreje dhe nëse Olympiacosi nuk fiton në ndeshjen e tij ndaj Dudelanges.
Në grupin E, Arsenali ka siguruar dy ndeshje përpara mbylljes së fazës së grupeve kualifikimin për më tej, me 3 fitore në 3 ndeshje të luajtura deri më tani. Sot në “Emirates”, “topçinjtë” do të presin Sportingun, skuadër të cilën e mundën 1-0 falë golit të Welbeck në Lisbonë. Në ndeshjet në shtëpi, Arsenali ka rekordin pozitiv të 4 fitoreve në 4 ndeshjet e fundit kundër skuadrave portugeze. Si Milani, ashtu dhe Arsenali do të zhvillojnë ndeshjet e tyre në orën 21:00.
Ndërkohë, në grupin L, Chelsea është duke mbajtur një ritëm shumë të mirë, me 3 fitore në 3 ndeshje. Përballë Bate Borisovit, ata do të luajnë ndeshjen e kthimit, pas fitores 3-1 në “Stamford Bridge” dy javë më parë. Skuadra e Sarrit do të mbyllte gjithçka në rast fitoreje, që do të ishte e katërta për ta në këtë fazë të Europa League, e ndeshja tjetër mes Vidit dhe PAOK-ut të mbyllej në barazim.
Në grupin H, Lazio do të presë në Romë skuadrën franceze të Marsejës, të cilën e mundi në ndeshjen e zhvilluar në Francë me shifrat 1-3. Megjithatë, trajneri Simone Inzaghi është shprehur i kujdesshëm për këtë ndeshje, pavarësisht takimit të parë dhe gjendjes së tyre në grup. Me një fitore, Lazio do të ketë mundësinë të kualifikohet për më tej, gjithnjë nëse nuk fiton Apollon Limasoli në ndeshjen që do të zhvillojë përballë kryesuesve të grupit, Eintracht Frankfurt.
Ndeshja në “Olimpiko” të Romës, ashtu si takimi i Chelseat, do të zhvillohen në orën 18:55 dhe do të transmetohen drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga paketa “Supersport” në platformën “Digitalb”.
Top Channel