Prodhimi i mijëra ton mbetjeve në ditë, hedhja e tyre, grumbullimi, transporti, vend-depozitimi, ndotja alarmante dhe pasojat, janë disa nga problemet që Top Story solli sonte në Top Channel.
Shqipëria është cilësuar si një nga vendet me performancë të dobët në rajon për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Për këtë Top Story bëri disa vëzhgime në disa zona më të rrezikshme të vendit të krijuara nga plehrat, të cilat rezultojnë alarmante.
Ekziston një legjislacion për menaxhimin e mbetjeve, i cili është përmirësuar me ligje të reja, që i përafrohen standardeve të Bashkimit Evropian. Por Debati për menaxhimin e mbetjeve në Shqipëri vendos përballë njëri-tjetrit dy fakte kontradiktore. Nga njëra anë legjislacioni shqiptar mbështet riciklimin, me Planin Kombëtar të Menaxhimit të Mbetjeve dhe nga ana tjetër qeveria Shqiptare, e cila ka nisur ngritjen e tre incineratorëve, duke parë si zgjidhje asgjësimin e mbetjeve.
Sipas planit të menaxhimit të mbetjeve, të draftuar dhe miratuar nga qeveria shqiptare me ndihmën e Bashkimin Europian, deri në vitin 2020, Shqipëria duhet të ndërtojë 12 landfille inxhinierike për grumbullimin e mbetjeve bashkiake.
Por kjo strategji e menaxhimit të mbetjeve deri më sot që flasim, nuk ka gjetur zbatim. Këtë e pohon edhe Ministria e Mjedisit, duke thënë se asnjë prej strategjive për mbetjet urbane nuk është zbatuar.
“Ekzistojnë disa strategji për mjedisin në Shqipëri, ekzistojnë 6 të tilla. Aktualisht, për proccesin e mbetjeve ne kemi patur një strategji, që ka filluar funksionin e saj në vitin 2011, por ka qenë shumë pak e implementuar, për hirë të së vërtetës. Disa nga strategjitë që janë bërë në vendin tonë, janë për shkak të Integrimit të Bashkimit Europian, dhe ka ngelur le të themi copy – paste të pastër “, – thotë për Top Story Ornela Çuçi
Pra, vendi ynë ka patur vetëm strategji copy-paste nga Bashkimi Europian, dhe për më tepër, nuk ka zbatuar asnjë prej tyre.
Top Channel