Manchester City mposhti me goleadë skuadrën ukrainase të Shakhtar Donetskut, duke siguruar kualifikimin për në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve, kur kanë mbetur edhe dy takime nga faza në grupe.
Tre herë braziliani Gabriel Jesus, Silva, Steerling dhe Mahrez ishin autorët e golave për skuadrën e Guardiolës, që në “Etihad Stadium” iu imponua miqve me rezultatin e thellë 6-0.
Po në të njëjtin grup, Lyoni shpërdoroi një avantazh prej dy golash ndaj gjermanëve të Hoffenhaimit, duke bërë që sfida të përfundonte në barazim 2-2 dhe francezët të humbnin një shans të mirë, për të “prekur” kualifikimin.
Reali i Santiago Solarit duket se është rikthyer “në shina”, pasi ka marrë një fitore me rezultatin e thellë 0-5, në transfertën çeke ndaj Viktoria Plzenit. Dy herë Benzema, Casemiro, Bale dhe Kroos shënuan për madrilenët, që janë vetëm një hap larg kualifikimit.
Dy gola të shënuar nga sulmuesi polak, Robert Lewandowski, nga një për çdo pjesë loje, ndihmuan Bayernin e Mynihut që të marrin një tjetër fitore ndaj Aek-ut të Athinës dhe të hedhin një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit.
Po në të njëjtin grup, Benfica dhe Ajaxi nuk shkuan më shumë se një barazim 1-1, me portugezët që gjetën të parët avantazhin, ndërsa holandezët u kundërpërgjigjën në pjesën e dytë të sfidës.
Më herët, Roma triumfoi me rezultatin 1-2 në Moskë ndaj CSKA-së, ndërsa Valencia mposhti zviceranët e Young Boys-it me rezultatin 3-1.
Top Channel